Mungesën e institucioneve, i dërguari i Parisit në Kosovë e ka quajtur fatkeqësi. Ai ka bërë thirrje që institucionet e Kosovës të respektojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se kjo gjykatë është një nga shtyllat kryesore të vendit.
“Dua të them se Gjykata Kushtetuese është një institucion shumë i respektuar jashtë vendit, jashtë Kosovës. Gjykata Kushtetuese është pranuar si anëtare e plotë në Shoqatën Evropiane të Gjykatave Kushtetuese. Ajo është pranuar gjithashtu si anëtare e plotë në Shoqatën e Gjykatave Kushtetuese që flasin frëngjisht. Do të ftoja institucionet që të vazhdojnë të respektojnë pavarësinë e gjykatës. Gjykata është një nga shtyllat e Republikës së Kosovës dhe për këtë kanë mbështetjen tonë të plotë”, tha ai pas ngjarjes së Qendrë Mediale në Çagllavicë e organizuar me temën “Dezinformimi dhe lajmet e rreme në fushatat zgjedhore – si të mbrohen votuesit dhe të ruhet procesi demokratik”.
Sa i përket vonesave në formimin e institucioneve funksionale, Guerot ka vlerësuar se kjo situatë është e pafavorshme për Kosovën dhe ka penguar realizimin e disa projekteve ndërkombëtare, raporton EO, transmeton Periskopi.
“Mendoj se është fatkeqësi që jemi në këtë situatë. Kosova nuk është i vetmi vend ku ekziston një qeveri në detyrë. Në vendin tim aktualisht kemi një kryeministër, por jo një qeveri të re të emëruar plotësisht, dhe ka shumë vende në Evropë në një situatë të ngjashme. Nuk është një situatë e mirë për asnjë vend dhe as për Kosovën. Agjencia Franceze për Zhvillim ka zhvilluar projekte të gatshme për të mbështetur Kosovën në tranzicionin energjetik, si dhe për përgatitjen e Lojërave Mesdhetare, dhe kemi bashkëpunuar për këtë me qeverinë e Albin Kurtit, me qeverinë në detyrë tani, dhe jemi gati të vazhdojmë me çfarëdo qeverie që do të dalë nga Kuvendi. Por tani jemi pak të bllokuar, sigurisht, sepse Kushtetuta e Kosovës thotë se çdo marrëveshje ndërkombëtare me implikime financiare duhet të ratifikohet nga Kuvendi, dhe ne nuk kemi një Kuvend që mund të funksionojë. Pra, të gjitha përpjekjet tona, jo vetëm të Francës, por duke folur për përpjekjet franceze, janë ngadalësuar nga kjo”, tha ai.
Për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori francez ka theksuar se kjo është mënyra e vetme për të arritur progres dhe ka vlerësuar rëndësinë e udhëheqjes së këtij procesi nga Bashkimi Evropian.
Ai ka shtuar se promovimi i idesë së një dialogu të “vdekur” do të ndalonte progresin dhe nuk është në interes të askujt.