Një ushtar që ka marrë pjesë në sulmet pushtuese të ushtrisë izraelite në qytetin e Gazës tha se ata do të shkatërrojnë të gjithë Gazën dhe nuk do të lënë asgjë pas në rajon, transmeton Anadolu.
Gazetari palestinez Yunus Tiravi ndau dje një video në platformën e kompanisë amerikane të mediave sociale X, të një ushtari izraelit që ka marrë pjesë në sulmet pushtuese në qytetin e Gazës.
Pamjet, të cilat ushtari izraelit tha se janë bërë në qytetin e Gazës, nxjerrin në pah shkatërrimin e gjerë në zonë.
Në zonën ku nuk ka asnjë ndërtesë të padëmtuar, vërehet se nuk ka mbetur pothuajse asnjë shtëpi e paprekur (e padëmtuar).
Ushtari izraelit, i regjistroi pamjet pranë një makinerie ndërtimi që përdoret për të shembur shtëpitë palestineze në zonë, ndërsa u shpreh se “Ne do t’i kthejmë të gjithë pengjet, do ta shkatërrojmë të gjithë Gazën sa më shumë që të jetë e mundur dhe nuk do të lëmë asgjë pas”.
Ushtria izraelite në Gaza të cilën e ka sulmuar që nga 7 tetori 2023, i ka shembur qëllimisht ndërtesat dhe shtëpitë palestineze për ta bërë atë të pabanueshme.
Përveç sulmeve, ushtria izraelite po rrafshon strukturat në Gaza me makineri ndërtimi.
Pasi më parë ka shkatërruar Rafahun në jug të Gazës dhe Beit Hanounin, Beit Lahiyan dhe Jabaliya në veri të Gazës, duke i bërë ato të pabanueshme, ushtria izraelite tani synon Qytetin e Gazës, rajonin me dendësinë më të lartë të ndërtimeve.
Pas vendosjes në zbatim të planit të saj të pushtimit, ushtria izraelite ka shkatërruar me sulme ajrore dhjetëra ndërtesa të larta në Qytetin e Gazës.
Që nga 7 tetori 2023, Izraeli ka kryer gjenocid në Rripin e Gazës, i cili deri më tani ka vrarë mbi 65.300 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.