Grupi i qytetarëve „Njerëz të pastër për një Kosjeriq të pastër“ ka publikuar në faqen e tyre në Facebook se sot, në qytetin Kosjeriq, është parë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe dhe person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli.
Sipas tyre, ai ka mbërritur me disa xhipa dhe është takuar me kryetarin e komunës, Žarko Đokić, si dhe me këshilltarin e tij në largim Dalibor Vujić. Në takim, sipas dëshmive të pranishmëve, ka qenë edhe babai i kryetarit, i cili i ka falënderuar mysafirët për “mbrojtjen e të birit”.
Qytetarët raportojnë se njerëzit e Radoiçiqit kanë kontrolluar zonën përreth, kanë ndaluar afrimin e banorëve dhe madje kanë penguar daljen e tyre nga lokalet aty pranë, duke shkaktuar frikë dhe pasiguri.
Aktivistët kërkojnë që kryetari Žarko Đokić të dalë para publikut dhe të sqarojë: kush ishin personat që e vizituan, përse erdhën në Kosjeriq dhe me çfarë qëllimi.
Kjo vizitë hap një sërë pyetjesh të rënda: pse pikërisht tani, në përvjetorin e tretë të ngjarjes tragjike në Banjskë, Milan Radoiçiqi shfaqet në një qytet të vogël si Kosjeriq, në shoqërinë e kryetarit të komunës?