Qendra .Info ka siguruar një kopje të ftesës zyrtare dërguar hoxhës nga Tërnoci i Madh, Nexhmedin Saqipi, në cilësinë e reis-ul-ulemasë të Bashkësisë Islame të Serbisë, për të marrë pjesë në Paradën ushtarake serbe të zhvilluar më 20 shtator në Beograd.
Në dokumentin që mban stemën e Republikës së Serbisë dhe vulën e Ministrisë së Mbrojtjes, ministri Bratislav Gašić – ish-drejtor i Agjencisë për Siguri dhe Informim (BIA) – i drejtohet personalisht Saqipit me fjalët:
“Me kënaqësi të veçantë, në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë së Serbisë, ju ftojmë që me praninë tuaj ta nderoni këtë ngjarje.”
Pamjet e paradës kanë treguar prezencën e Saqipit në mesin e të ftuarve, ndërsa vetë ai në një prononcim për televizionin T7 ka deklaruar se nuk dëshiron t’i shmanget përgjegjësisë për pjesëmarrjen e tij.
Hoxha nga Tërnoci, Nexhmedin Saqipi, shihet në paradën ushtarake serbe “Forca e Unitetit”
Një ngjarje që ngjalli polemika
Pjesëmarrja e hoxhës nga Lugina ka shkaktuar debate të nxehta në opinionin publik shqiptar. Një pjesë e shoqërisë e sheh këtë si instrumentalizim të figurave fetare nga autoritetet serbe, ndërsa të tjerë e konsiderojnë si pjesë të protokolleve zyrtare të bashkëpunimit institucional mes shtetit dhe bashkësive fetare.