Gjatë fjalimit të tij në OKB përmes një lidhjeje live, Presidenti Mahmoud Abbas e bëri të qartë se Autoriteti Kombëtar Palestinez nuk do ta mbështeste Hamasin që të kishte ndonjë rol në Gaza në të ardhmen.
Sipas mediave të huaja, Presidenti i Palestinës dhe autoriteti dënuan gjithashtu sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023 ndaj civilëve në Izrael.
Ai tha: “Pavarësisht se të gjithë njerëzit tanë kanë vuajtur, ne e kundërshtojmë atë që kreu Hamasi më 7 tetor. Kundërshtojmë veprimet që shënjestruan civilët izraelitë dhe i morën peng.”
“Sepse këto veprime nuk përfaqësojnë popullin palestinez, as nuk përfaqësojnë luftën e tyre të drejtë për liri dhe pavarësi”, tha ai më tej, shkruan A2 CNN.
Abbas shtoi: “Ne kemi pohuar dhe do të vazhdojmë të pohojmë se Rripi i Gazës është një pjesë integrale e Shtetit të Palestinës dhe se jemi të gatshëm të mbajmë përgjegjësi të plotë për qeverisjen dhe sigurinë, se Hamasi nuk do të ketë një rol për të luajtur në qeverisje.”
“Hamasi dhe fraksionet e tjera do të duhet t’ia dorëzojnë armët e tyre Autoritetit Kombëtar Palestinez”, përfundoi fjalën për këtë çështje Abbas./Periskopi/