Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj kandidatëve për kryetarë komunash që, sipas saj, nuk kanë program e as ide konkrete për qeverisje. Në një postim në rrjetet sociale, ajo tha se e vetmja gjë që këta kandidatë dinë të thonë është se “vetet Sami Lushtaku” ose “s’e ves Sami Lushtakun”.
Musliu ka ngritur pyetjen pse një kryetar si Agim Aliu nuk e ka pasur kurrë këtë problem, duke e dhënë edhe përgjigjen:
“Sepse ai ju ka grahë punëve, ka program, ka ide edhe vizion se qysh qeveriset një komunë!”
Ajo u ka bërë thirrje kandidatëve që të ndalin propagandën dhe të fokusohen në punë konkrete:
“Grahni punës i keni edhe dy javë përpara deri me 12 tetor, se nuk ju nxjerr dot Sami Lushtaku as në njërin, as në tjetrin version.”
Deputetja theksoi se emri i Lushtakut është “shtrydhë në çdo mënyrë” dhe se kjo propagandë tashmë është bërë e padobishme:
“E keni shtrydhë emrin e tij në çdo mënyrë, nuk ju pin ujë më kjo propagandë. Jeni ba bajat!”
Ky reagim i Musliut pritet të ngjallë debat të ri brenda skenës politike, sidomos për rolin që ka emri i Sami Lushtakut në fushatat zgjedhore.