Në Javën e Modës Milano, prezantohet një koleksion kushtuar xhubletës shqiptare i realizuar nga Moralda Durra dhe i titulluar “Një mijë e një fije”.
Ky koleksion është një homazh bashkëkohor për xhubletën, veshjen më të hershme shqiptare që sjell në kujtesë fillesat e trashëgimisë sonë kulturore, shkruan atsh.
Kështu, xhubleta shqiptare prezantohet në sfilatën e organizuar në hotelin Four Seasons, të Milanos.
Koleksioni i Moralda Durrës është i ndërtuar kryesisht me shajak të zi, një lloj stofi prej leshi, dhe e zbukuruar me gajtanë (kordonë të hollë) të bërë me fije leshi të zi. Ky koleksion riinterpreton thelbin e xhubletës përmes një lenteje të papërpunuar, moderne dhe konceptuale. Në vizionin e stilistes, çdo fije e këtij koleksioni lidh gratë e shoqërisë së hershme shqiptare me ato bashkëkohore.
Xhubleta shqiptare u shpall në vitin 2022, trashëgimi kulturore botërore e mbrojtur nga UNESCO./Qendra.Info