Në pesë vjetët e fundit, diplomacia e Kosovës është përballur me një valë kritikash nga figura politike, ish-diplomatë dhe ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilët e kanë cilësuar këtë periudhë si ndër më të dobëtat që nga shpallja e pavarësisë.
Në vend të avancimit drejt integrimeve euro-atlantike dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar, Kosova ka përjetuar një regres të ndjeshëm në skenën ndërkombëtare.
Për gjatë këtyre pesë viteve, nuk ka pasur asnjë hap drejt progresit euro-atlantik, madje s’ka pasur as njohje dhe as anëtarësime ndërkombëtare. Edhe njohja e fundit që ishte nga shteti afrikan Kenia, i atribuohet si sukses ish-ministrit të jashtëm Behgjet Pacolli.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka folur për gjendjen e diplomacisë kosovare në pesë vitet e fundit, duke e cilësuar këtë periudhë si regresive dhe dëmtuese për pozitën ndërkombëtare të vendit.
“Nuk besoj se ndonjëherë niveli i diplomacisë së Kosovës ka qenë në ndonjë stag më të dobët të cilin e kemi parë në këto pesë vite të fundit. Regresi është i madh”, deklaroi Deliu-Kodra.
“Kosova jo vetëm që ka sanksione nga BE, por natyrisht sanksione kemi edhe nga SHBA duke e pezulluar dialogun strategjik me ne”, u shpreh deputetja e PDK-së.
Deliu-Kodra rikujtoi rolin historik të SHBA-ve në procesin e shtetndërtimit të Kosovës.
“SHBA ka qenë garancë e shtet-ndërtimit të Kosovës dhe subjektivitetit tonë ndërkombëtar dhe gjitha njohjet tona kanë ndodhur me garancën e SHBA-së. Fakti që është pezulluar dialogu strategjik me SHBA flet se Kosova po stagnon çdo ditë e më shumë”, tha ajo.
Në krahasim me zhvillimet në vendet e rajonit, ajo shprehu shqetësim se Kosova po mbetet pas në skenën ndërkombëtare.
“Kemi shtete të rajonit që çdo ditë bëjnë hapa të ri në gjeopolitikën e tyre. Kosova ka mbetur larg partnerëve të saj” përfundoi Deliu-Kodra.
Ish-ambasadori i Kosovës në Londër, Muhamet Hamiti ka pasur kritika për gjendjen e politikës së jashtme të Kosovës në pesë vitet e fundit, duke e cilësuar periudhën aktuale si një nga më të dëmshmet për vendin në aspektin diplomatik dhe ndërkombëtar.
“Në këto katër-pesë vitet e fundit politikën e jashtme të Kosovës e kanë drejtuar Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, siç u takon me Kushtetutë. Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz”, thekson Hamiti.
Sipas tij, Kosova është vendosur nën sanksione të ashpra ekonomike nga Bashkimi Evropian që prej qershorit të vitit 2023, për shkak të politikave të Qeverisë Kurti-Gërvalla.
“Kosova është nën sanksione të ashpra ekonomike të BE-së prej qershorit të vitit 2023 për shkak të politikave të Qeverisë së Vetëvendosjes, që e kanë drejtuar Kurti dhe Gërvalla. Kosova ka mbetur pa më shumë se 600 milionë euro, fonde të BE-së, për projekte jetike për qytetarët e Kosovës. Kosova është damkosur para bote si shtet i sanksionuar. (Le të kujtojmë se pos Kosovës, vetëm edhe dy shtete të tjera në Evropë janë nën sanksione: Rusia dhe Bjellorusia)”, thekson Hamiti.
Hamiti kritikon edhe raportet e tensionuara të institucioneve të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.
“Zyrtarët e BE-së nuk i takojnë qeveritarët tanë në zyrat e Qeverisë së Kosovës sepse po e shkelin Kushtetutën e vendit, duke qenë edhe deputetë edhe ministra. SHBA-të e pezulluan Dialogun Strategjik me Kosovën për shkak të politikave të Qeverisë Kurti, në kohën kur SHBA-të po e nisin Dialogun Strategjik me Serbinë’’, shton ai.
Në lidhje me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hamiti shpreh shqetësimin e thellë se raportet kanë degraduar ndjeshëm.
“Marrëdhëniet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështetësin historik dhe aktual të shtetit tonë, janë në pikën më të ulët në kohën kur udhëheqës i kemi Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin. Kosova është më larg, jo më afër, integrimeve euro-atlantike me Osmanin dhe Kurtin në pushtet. Vitin e kaluar nuk u anëtarësuam në Këshillin e Evropës, kur anëtarësimi dukej pothuaj punë e kryer. Kosova ka marrë vetëm dy njohje, nga Kenia dhe Sudani, në këto pesë vjet’’, deklaron ish-ambasadori.
Ai thotë se Kosova është në tatëpjetë dhe se ndryshimi i premtuar ka ndodhur të cilin e quan ndryshim katastrofal.
“Në rrafsh diplomatik, si në të gjitha fushat (shoqërore, politike, ekonomike), Kosova është në tatëpjetë të madhe me pushtetin aktual, me të zgjedhurit e vitit 2021, që, nën moton #Krejtdhedrejtë, kanë pasë premtuar ndryshim. Ndryshimi ka ndodhur: është katastrofal! Pasojat nuk po i vuajnë fajtorët për këtë gjendje, drejtuesit politikë të vendit, por qytetarët e Kosovës’’, përfundon ish-ambasadori Hamiti.
Ish-kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arifi ka folur lidhur me situatën aktuale të diplomacisë kosovare, duke e cilësuar si regresin më të thellë në dekada dhe duke kritikuar udhëheqësit shtetërorë për prishjen e marrëdhënieve ndërkombëtare të ndërtuara me mund të madh ndër vite.
“Kosova ka një regres të jashtëzakonshëm në diplomaci. E pabesueshme sa ura të ndërtuara me shumë mund përgjatë shumë viteve këta njerëz i kanë shkatërruar”, deklaroi Arifi.
Ai theksoi se përfaqësuesit ndërkombëtarë shmangin takimet me Kryeministrin dhe Ministren e Jashtme të Kosovës, përveç rasteve kur janë të detyruar për arsye zyrtare.
“Askush nuk don ta takoj as Kryeministrin as Ministren e Jashtme, përveç në situatat kur s’kanë çare”, shtoi ai.
Njohësi i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi ka kritikuar ashpër politikën e jashtme të Kosovës gjatë pesë viteve të fundit, duke e cilësuar atë si një dështim të plotë të institucioneve shtetërore.
“Në këto pesë vite, gjithçka ka pasur në Kosovë, por vetëm diplomaci apo politikë të jashtme nuk ka pasur. Nuk ka pasur asnjë efekt pozitiv për Kosovën”, tha Arifi në një deklaratë për media.
Sipas tij, Kosova ka stagnuar në mënyrë të theksuar në proceset integruese ndërkombëtare, duke mbetur prapa të gjitha vendeve të rajonit.
“Si shoqëri apo si shtet, në vend se të flisnim se në cilin nivel të integrimit apo anëtarësimit është Kosova sa i përket në KIE, BE apo NATO, sot kemi mbetur vendi i fundit në Ballkan që nuk kemi asnjë lëvizje në asnjë drejtim,” theksoi ai, duke e quajtur këtë situatë “dështim kolosal të politikës së jashtme të Presidencës dhe Qeverisë së Kosovës”, ka shtuar ai.
Arifi theksoi rëndësinë e njohjeve ndërkombëtare për përparimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se ka ende sfida serioze përpara.
“Ne duhet ta bëjmë të pamundurën që të i marrim katër njohje nga vendet e NATO-s dhe pesë njohje nga vendet e BE-së. Si bëhet ajo? Kosova vetë e ka të pamundur, por sikur të kishim koordinim me SHBA dhe BE do të mund të arrihej, por pa koordinim me to, nuk do të mund të arrihet”,deklaroi Arifi.
Ai tha se qeveria e ardhshme të ketë një fokus të qartë dhe të strukturuar në politikën e jashtme, duke u përqendruar në veprime konkrete dhe marrëveshje strategjike.
“Qeveria e re do të duhej të fokusohej në marrëveshje dhe lëvizje strategjike”, përfundoi Arifi./Front Online.