Shtëpia e Bardhë ka publikuar planin 20 pikësh të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës Izrael–Hamas në Gazë. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pas takimit me Trump në Shtëpinë e Bardhë, e ka mbështetur planin, por mbetet e paqartë nëse Hamasi do t’i pranojë kushtet.
Plani është mbështetur gjithashtu nga liderë në Lindjen e Mesme dhe Evropë. Sipas pikave të publikuara nga Associated Press, dokumenti përfshin zotimin se Izraeli nuk do të pushtojë apo aneksojë Gazën, si dhe se askush nuk do të detyrohet të largohet nga territori.
Një element kyç i planit është krijimi i një komiteti palestinez teknokratik dhe apolitik për qeverisjen e përkohshme të Gazës, i mbikëqyrur nga një organ ndërkombëtar kalimtar, i quajtur “Bordi i Paqes”, i cili do të udhëhiqet nga vetë Donald Trump, ndërsa ndër anëtarët e tij do të jetë edhe ish-kryeministri britanik, Tony Blair.
Plani përfshin gjithashtu:
-
lirimin e të gjithë pengjeve brenda 72 orëve nga pranimi i marrëveshjes;
-
shkëmbimin e të burgosurve dhe mbetjeve mortore;
-
amnisti për anëtarët e Hamasit që heqin dorë nga dhuna dhe dorëzojnë armët;
-
dërgimin e ndihmës humanitare të menjëhershme dhe rindërtimin e infrastrukturës;
-
demilitarizimin e plotë të Gazës nën mbikëqyrje ndërkombëtare;
-
krijimin e një zone ekonomike speciale dhe një plani zhvillimor për Gazën e re.
Trump thekson se ky plan hap rrugën për një dialog politik që mund të çojë drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze, duke e cilësuar këtë moment si një hap historik për paqen në Lindjen e Mesme.