Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mirëpritur planin 20-pikësh të mbështetur nga SHBA-të për t’i dhënë fund luftës mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë.
Ajo tha se Bashkimi Evropian është i gatshëm të kontribuojë në këtë proces, duke theksuar se palët duhet ta shohin këtë si një mundësi të papërsëritshme për paqe.
“Mirëpres angazhimin e Presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Inkurajoj të gjitha palët që ta shfrytëzojnë tani këtë mundësi. Armiqësitë duhet të përfundojnë me ofrimin e ndihmës së menjëhershme humanitare për banorët e Gazës dhe me lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve”, shkroi Von der Leyen në rrjetin social X.
Kryetarja e Komisionit Evropian gjithashtu përsëriti qëndrimin e BE-së për një zgjidhje me dy shtete, duke e cilësuar si “të vetmen rrugë të qëndrueshme për një paqe të drejtë dhe afatgjatë në Lindjen e Mesme”.