Prishtinë, 29 shtator — Departamenti Amerikan i Shtetit ka renditur Kosovën në Nivelin 2 në raportin vjetor për Trafikimin e Qenieve Njerëzore. Kjo kategori përfshin vendet që bëjnë përpjekje të konsiderueshme për të luftuar këtë fenomen, por ende nuk arrijnë të përmbushin plotësisht standardet ndërkombëtare. Në këtë nivel renditen edhe Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut.
Raporti vë në dukje se Kosova ka intensifikuar ndjekjen penale ndaj trafikantëve dhe ka rritur mbështetjen për viktimat, duke dyfishuar fondet për qendrat mbështetëse dhe kompensimet. Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha. Qeveria ende nuk dënon mjaftueshëm trafikantët dhe shpesh shqipton dënime më të ulëta se minima ligjore.
Rastet e fëmijëve të detyruar për të lypur trajtohen shpesh si neglizhencë dhe jo si trafikim, ndërsa komunitetet rom, ashkali, egjiptian, personat LGBTQ+, migrantët dhe refugjatët janë veçanërisht të rrezikuar.
Nga një numër më i madh ndjekjesh penale vitin e kaluar, vetëm një trafikant është dënuar, dhe me një dënim nën pesë vite burgim, minimumi ligjor.
Raporti rekomandon përforcim të hetimeve, trajnime për stafin gjyqësor dhe policor, dhe rritje të kapaciteteve dhe financimeve për organizatat që mbështesin viktimat.