Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim në favor të Listës Serbe, duke konstatuar se Kuvendi ende nuk është konstituuar për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb.
Sipas aktgjykimit, seanca konstituive e nisur më 15 prill 2025 nuk ka përfunduar, pasi nuk është respektuar neni 66 dhe neni 67 i Kushtetutës, që përcaktojnë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Për këtë arsye, gjykata ka urdhëruar që procesi të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit.
Gjykata ka bërë thirrje që të gjithë deputetët të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në përputhje me interesin e Republikës së Kosovës, duke siguruar zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb. Deri në përfundimin e procedurës, mbetet në fuqi masa e përkohshme e vendosur më 5 shtator.
Presidentja Vjosa Osmani, më herët, kishte deklaruar se pas skadimit të masës së përkohshme do ta ftojë partinë fituese të zgjedhjeve për të caktuar mandatarin për formimin e qeverisë. “Vendimi për masën e përkohshme nuk paragjykon vendimin përfundimtar, por ndërkohë ndalon çdo veprim institucional për zgjedhjen e qeverisë”, u shpreh Osmani.
Në anën tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kritikuar ashpër Kushtetuesen, duke e quajtur vendimin një bllokadë të panevojshme që ka lënë 120 deputetët “të vegjetojnë” për 25 ditë. Ai akuzoi gjykatën se po vepron si “zgjatim politik” i opozitës dhe e krahasoi masën me një “vendim absurd mjekësor” që do t’i fuste gjyqtarët në pushim shëndetësor.
👉 Ky aktgjykim hyn në fuqi ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese dhe pas njoftimit të palëve.