1 Tetor 2025 – Mbylljet e qeverisë federale në Shtetet e Bashkuara janë bërë një fenomen gjithnjë e më i zakonshëm, duke pasur një ndikim të madh ekonomik dhe shoqëror. Historia tregon se disa nga këto ndërprerje kanë zgjatur javë të tëra, duke shkaktuar bllokime të punës për mijëra punonjës federalë dhe shpenzime të konsiderueshme për ekonominë.
Mandati i parë i Donald Trump regjistroi tre mbyllje të qeverisë, përfshirë edhe mbylljen më të gjatë në historinë amerikane që zgjati 35 ditë. Kjo ndodhi për shkak të mosmarrëveshjeve për financimin e murit kufitar me Meksikën.
Para Trump-it, rekordin e mbante Bill Clinton, me një mbyllje prej 21 ditësh në vitin 1995. Ai erdhi gjatë një mosmarrëveshjeje mes demokratëve dhe republikanëve për buxhetin federal dhe shpenzimet për programin “Medicare”.
Barack Obama u përball me një mbyllje prej 16 ditësh në vitin 2013, për shkak të debatit mbi ligjin për kujdesin shëndetësor. Ndërsa Ronald Reagan pati numrin më të madh të mbylljeve gjatë dy mandateve të tij – tetë në total – por të gjitha ishin relativisht të shkurtra, me ndërprerjen më të gjatë që zgjati vetëm tre ditë.
Kosto dhe pasoja të mbylljes së qeverisë
Një mbyllje e qeverisë federale do të thotë pezullim i përkohshëm i punës për qindra mijëra punonjës federalë, ndërkohë që disa të tjerë, të konsideruar “thelbësorë”, do të vazhdojnë të punojnë pa pagesë deri në përfundimin e bllokadës.
Sipas një letre të publikuar nga Drejtori i Zyrës së Buxhetit të Kongresit, Phillip Swagel, gjatë një mbylljeje mund të ndalen nga puna deri në 750 mijë punonjës federalë, me një kosto prej rreth 400 milionë dollarë në ditë për ekonominë amerikane.
Anëtarët e Kongresit do të vazhdojnë të marrin pagë, sipas Kushtetutës amerikane. Ndërkohë, personeli ushtarak duhet të punojë gjatë mbylljes, por pagat e tyre do të shtyhen deri pas përfundimit të saj.
Efektet e mbylljes mbi ekonominë janë të pasigurta dhe varen nga kohëzgjatja e bllokadës dhe vendimet e administratës, thekson letra e Zyrës së Buxhetit.
Mbylljet e qeverisë jo vetëm që shkaktojnë vonesa në shërbimet publike, por ndikojnë në besimin e qytetarëve dhe stabilitetin ekonomik të vendit, duke e bërë këtë një çështje kritike për politikën amerikane./Qendra.Info