03 Tetor 2025 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka dhënë Hamasit një afat deri të dielën pasdite për t’u përgjigjur rreth planit të tij të paqes për Gazën.
Duke folur të premten, Trump paralajmëroi se nëse nuk ka përgjigje deri atëherë, “do të shpërthejë ferri, si asnjëherë më parë”.
Plani i propozuar u prezantua të hënën në Uashington, pas takimit të Trump me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu. Ky plan përfshin përfundimin e luftës, lirimin e pengjeve dhe një program rindërtimi për Gazën.
Sipas marrëveshjes së propozuar:
-
Izraeli do të lirojë 250 të burgosur palestinezë të dënuar me burgim të përjetshëm dhe rreth 1,700 të ndaluar që nga shpërthimi i luftës.
-
Hamasi do të lirojë 48 pengje, nga të cilët besohet se 20 janë ende gjallë.
-
Anëtarëve të Hamasit mund t’u ofrohet amnisti nëse dorëzojnë armët dhe angazhohen për bashkëjetesë paqësore.
-
Izraeli do të tërhiqet gradualisht nga Gaza, ndërsa sigurinë do ta marrë një Forcë Ndërkombëtare e Stabilizimit, e udhëhequr nga vende partnere arabe.
Në fazën tranzitore, një komitet palestinez, nën mbikëqyrjen e “Bordit të Paqes”, do të qeverisë Gazën deri në reformimin e Autoritetit Palestinez. Plani njeh aspiratën për një shtet palestinez dhe parashikon një “rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë”, sipas raportimeve të CNN.
Hamasi deri më tani nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare, ndërsa raportohet se po zhvillon konsultime me ndërmjetësit nga Katari dhe Egjipti.