06 tetor 2025 – Në gjykimin për vrasjen e Liridona Ademajt, mjeku ligjor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Naim Uka, prezantoi sot raportin e autopsisë dhe dha dëshminë e tij para trupit gjykues.
Prokurorja i referoi faqes 8 të raportit, ku përshkruhet se në kavitetin e kokës dhe të trurit, si dhe në pjesë të kafkës në regjionin e djathtë temporal, u konstatua plaga hyrëse si pasojë e veprimit dinamik të predhës nga arma e zjarrit. Siç tha Uka, në anën murore të kokës janë gjetur edhe pjesë metalike të predhës, të cilat janë dorëzuar si provë.
Duke sqaruar karakteristikat e plagës, Uka deklaroi se plaga gjendej në pjesën e prapme të kokës dhe se autopsia ka evidentuar gjakderdhje të brendshme trurore, e cila është konstatuar si shkaku i vdekjes.
“Gjatë ekzaminimit të plagës hyrëse kemi konstatuar, përmes vrimës hyrëse, prezencën e faktorëve plotësues të qitjes që kanë shkaktuar djegie lëkurore me prezencë të grimcave të barutit. Në bazë të këtyre provave mjekoligjore, distanca e qitjes sillet nga 2 deri në 5 cm,” u përgjigj Uka. Ai shtoi se për shkak të mungesës së stampimit të tytës së armës përjashtohet mundësia e vrasjes me kontakt të drejtpërdrejtë (kontakt/“puthje”) apo gjysmë-kontakt.
Raporti i autopsisë dhe dëshmia e mjekut ligjor janë ndër provat kryesore që po analizohen në të gjithë procedurën gjyqësore, ndërsa seanca vazhdon me pyetje nga pala përndjekëse dhe mbrojtja.