Prishtinë, 6 tetor 2025 – Në vazhdimin e gjykimit ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve për vrasjen e Liridona Ademajt, sot është dëgjuar eksperti mjeko-ligjor, dr. Naim Uka, ku i akuzuari Murseli ka kërkuar sqarime lidhur me konstatimet e raportit të autopsisë.
Gjatë seancës, Murseli pyeti ekspertin nëse raporti vërteton pretendimin e Prokurorisë se ai e kishte mbajtur bashkëshorten e tij për të mos iu shmangur plumbave në momentin e vrasjes.
“Në kushte normale unë nuk kam nevojë të bëj pyetje, por prokuroria në aktakuzën e saj pohon që kjo shenjë është shkaktuar nga unë, sepse sipas saj kam mbajtur bashkëshorten time për të mos iu shmangur plumbit. A e vërteton kjo që unë e kam mbajtur gruan time në momentin e vrasjes?”, pyeti Murseli.
Në përgjigje, eksperti Naim Uka theksoi se mjekët ligjorë nuk paragjykojnë pozitat apo situatat e mundshme gjatë vrasjes.
“Detyra e mjekut ligjor është të bëjë përshkrimin e qartë të çdo dëmtimi trupor. Në bazë të këtyre përshkrimeve, pastaj bëhet interpretimi nga prokuroria dhe trupi gjykues,” – tha Uka, duke shtuar se është normale që në një raport të autopsisë të shënohen pohime të tilla, por ato nuk janë përfundime për rrethanat e ngjarjes.
I akuzuari pyeti gjithashtu nëse lëndimi në dorën e Liridonës mund të ketë ndodhur pak para vrasjes apo më herët. Eksperti sqaroi se lëndimi ka mundur të ndodhë deri në tre orë para vdekjes, duke mos përjashtuar as mundësinë e vetëlëndimit gjatë një tentative për t’u shpëtuar.
Seanca pritet të vazhdojë pasdite me dëgjimin e dëshmitarëve.