Londër, 5 tetor 2025 – Këngëtarja shqiptare me famë botërore Rita Ora ka ndarë një rrëfim plot humor dhe nostalgji nga fillimet e karrierës së saj muzikore, gjatë një interviste për BBC Radio 2.
Gjatë bisedës, Rita foli për suksesin e këngës së saj më të re, “All Natural”, e cila është pritur ngrohtë nga publiku dhe kritika, por gjithashtu zbuloi një detaj gazmor që lidhet me motrën e saj, Elena Ora.
Gazetari e pyeti nëse është e vërtetë që, në periudha me shumë angazhime, Rita kishte përdorur motrën si “doppelganger” për të dhënë disa intervista telefonike në vend të saj, për shkak të ngjashmërisë së madhe të zërave të tyre.
“Po, është e vërtetë,” – pranoi Rita me të qeshur.
“Elena është motra ime dhe i di të gjitha detajet për mua. I thosha: ‘Hajde, bëje ti intervistën për Zelandën e Re, ndërsa unë po flas me Australinë!’ Dhe ajo thoshte: ‘Përshëndetje, jam Rita Ora!’”
Këngëtarja shtoi me humor se ndoshta disa radio nuk e kuptuan kurrë që po flisnin me motrën e saj të madhe:
“Mendoj se Elena ka dhënë intervista të tëra për stacione radioje në Australi e Zelandën e Re duke u prezantuar si unë,” – tregoi Rita duke qeshur.
Rita shpjegoi se kjo ishte një zgjidhje e domosdoshme në ditët e para të famës, kur axhenda e saj ishte e tejmbushur me promovime ndërkombëtare. Episodi, sipas saj, tregon afërsinë dhe bashkëpunimin e ngushtë që ka me motrën Elena, e cila ka qenë pjesë e rëndësishme e sukseseve të para të karrierës së saj.