Emri i psikiatrit kosovar, Behar Kamberi, është bërë i njohur në Shqipëri javën e fundit jo për arritje profesionale, por për shkak të një çështjeje penale. Ai është arrestuar nga Policia shqiptare mbi dyshimet për përndjekje ndaj një moderatoreje shqiptare, e cila ka bërë kallëzimin për të.
Megjithëse Kamberi është liruar menjëherë nga prokurori, Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë ka bërë me dije se procedimi penal nr. 7044 i vitit 2025 për veprën penale “Përndjekja”, sipas Nenit 121/a të Kodit Penal, vazhdon të hetohet.
Sipas raportimeve, mesazhe që Kamberi i kishte dërguar moderatores – përfshirë shprehje si “Të dua” apo “dëshiroj të martohem me ty” – janë vlerësuar nga prokuroria si komunikim normal dhe jo si kërcënim ose ngacmim që rrezikon sigurinë e viktimës.
Çështja e Kamberit ka edhe precedent. Në tetor 2020, ai ishte kallëzuar në Policinë e Kosovës për veprat “Kanosje” dhe “Ngacmim”, por rasti ishte zgjidhur përmes ndërmjetësimit. Për më tepër, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka vendosur pezullimin e tij nga detyra për një periudhë të caktuar.
Hetimet në Shqipëri janë ende në zhvillim dhe Prokuroria ka bërë të ditur se nuk është marrë ende një vendim përfundimtar.