Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka shmangur për muaj të tërë të flasë rreth formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të shkurtit, sot ka vendosur të përgjigjet pyetjeve të gazetarëve.
Ai deklaroi se qeveria e re do të zgjidhet “sapo të fillojë punën Kuvendi”.
“Ne jemi Qeveria në detyrë. Porsa të fillojë punën Kuvendi, do ta zgjedhim qeverinë e re. Unë jam në muajin e shtatë të vitit të pestë të mandatit të plotë katërvjeçar, pra më shumë sesa që është dashur. Herën e parë ishte më pak, herën e tretë do të jetë tamam”, tha Kurti, raporton KosovaPress.
Qëndrimi i Kurtit për një qeveri të përkohshme bie ndesh me atë të partneres së tij të koalicionit, Mimoza Kusari-Lila. Së fundmi, ajo kishte deklaruar se e sheh të nevojshme formimin e një qeverie të përkohshme përmes një marrëveshjeje politike me agjendë vetëm legjislative, për të miratuar buxhetin e vitit 2026 dhe disa marrëveshje ndërkombëtare që lidhen me fondet e BE-së për Kosovën, në kuadër të Planit të Rritjes.
Kusari-Lila theksoi se kjo nuk lidhet me idenë e LDK-së për qeveri tranzitore, por synon vetëm krijimin e një grupi parlamentar për përmbushjen e këtyre detyrimeve.