Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-policit Fatlum Mehmeti, i cili është dënuar me 8 vite burgim për veprën penale “Vrasje me dashje eventuale”. Gjykata gjithashtu ka vendosur ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose shërbim publik për pesë vite.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 18 shkurt 2022, gjatë një ndenje të organizuar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës në fshatin Zllatar të Komunës së Prishtinës. Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore, Mehmeti ka manipuluar me armën zyrtare të tipit “Gllok” 9 mm, duke shkrepur aksidentalisht dhe shkaktuar plagë vdekjeprurëse në krahun e dorës së djathtë të viktimës, pjesëtarit të Policisë së Kosovës, L.H.
Trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Ertan Sejfulla, me anëtarët Sulltane Hoti dhe Naser Foniqi, e ka shpallur dënimin të mërkurën. Gjykata ka vendosur gjithashtu ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak ndaj Mehmetit dhe ka urdhëruar që koha e kaluar në paraburgim të llogaritet në totalin e dënimit.
Pala e dëmtuar është udhëzuar të ndjekë procedurë juridiko-civile për realizimin e kërkesës pasurore.
Ky vendim është një mesazh i fortë për sigurinë në përdorimin e armëve zyrtare dhe për përgjegjësinë që bart çdo funksionar publik.