Tensionet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara po rriten ndjeshëm, teksa Moska po sinjalizon një rikthim të mundshëm të “skenarit të Karaibeve” të viteve ’60.
Kremlini duket se po përpiqet të ushtrojë presion ndaj Uashingtonit, për të ndaluar dërgimin e raketave amerikane “Tomahawk” në Ukrainë, duke paralajmëruar vendosjen e armëve ruse në Kubë dhe Venezuelë.
Sipas raportimeve të ISW, psikoza në Rusi është thelluar pas lajmeve për një transferim të mundshëm të raketave “Tomahawk” nga SHBA në Ukrainë.
Në këtë kontekst, Këshilli i Federatës Ruse ka ratifikuar marrëveshjen e bashkëpunimit ushtarak me Kubën, të nënshkruar në mars në Havana dhe Moskë. Marrëveshja parashikon zgjerimin maksimal të bashkëpunimit ushtarak dhe mundësinë e vendosjes së çdo sistemi sulmues në territorin kuban.
Një rikthim historik?
Kjo situatë ngjason me “Krizën e Raketave Kubane” të vitit 1962, kur Bashkimi Sovjetik vendosi raketa bërthamore në Kubë pas pushtimit të Gjirit të Derrave, duke e sjellë botën në prag të luftës bërthamore.
Edhe tani, analistët besojnë se Vladimir Putin po përpiqet ta përdorë një strategji të ngjashme për të trembur administratën amerikane që të mos furnizojë Kievin me raketa të avancuara.
Roli i Venezuelës dhe Kubës
Në anën tjetër, Venezuela, e drejtuar nga presidenti pro-rus Nicolás Maduro, është në konflikt të hapur me SHBA-të. Sipas burimeve perëndimore, Rusia mund të përdorë territorin venezuelian si pikë vendosjeje për armë, në kuadër të një “shfaqjeje të përbashkët force” kundër Uashingtonit.
Ndërkohë, raportimet sugjerojnë se rreth 25 mijë kubanë mund të dërgohen në Rusi për t’u bashkuar me ushtrinë në luftën kundër Ukrainës, gjë që tregon thellimin e aleancës mes dy vendeve.
Synimi: presion mbi SHBA-të
Ekspertët e ISW thonë se Moska po zhvillon një fushatë “kontrolli reflektiv”, një strategji e vjetër ruse e manipulimit të perceptimit të kundërshtarit, me qëllim që të frenojë SHBA-të nga furnizimi i Ukrainës me armë të avancuara.
“Kremlini po përpiqet t’i paraqesë dërgesat e mundshme të raketave ‘Tomahawk’ si një përshkallëzim të rrezikshëm, për të frenuar Shtetet e Bashkuara”, thuhet në raportin e ISW.
Një strategji e ngjashme është përdorur më parë, kur Perëndimi diskutonte për furnizimin e Ukrainës me raketat HIMARS, ATACMS, avionët F-16 dhe tanket Abrams.
Sipas analistëve, këto fushata dezinformimi shpesh kanë arritur të vështirësojnë dhe vonojnë vendimet perëndimore për dërgimin e armëve.
Megjithëse dërgimi i raketave “Tomahawk” mund të zgjasë me muaj dhe ato mund të mos përdoren menjëherë, vetë mundësia e vendosjes së tyre ka tashmë ndikim të madh politik dhe psikologjik në Moskë, shkruan The Guardian.