Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar Fatmir Shehollin, nën dyshimet për veprën penale “Spiunazh”, raporton Periskopi.
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është rezultat i hetimeve disa mujore dhe është kryer me asistencë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
“Pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, të enjten hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë arrestuar F.SH., nën dyshimet për veprën penale ‘Spiunazh’, nga neni 124 paragrafi 3 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
I dyshuari është arrestuar në rajonin e Prishtinës, ndërsa me vendim të Prokurorisë është ndaluar për 48 orë.
Po ashtu, njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës janë duke kryer bastisje në vendbanimin e tij, me qëllim sigurimin e provave shtesë materiale.
“Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me ligjet në fuqi. Publiku do të njoftohet në kohë për zhvillimet e reja,” theksohet në komunikatë.
Reagimi i Ministrit Sveçla
Arrestimin e Fatmir Shehollit e ka konfirmuar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në rrjete sociale.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe Prokurorinë, ka arrestuar sot Fatmir Shehollin, me dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh,” shkruan Sveçla.
Ministri ka theksuar se ky rast përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, duke kërkuar trajtim institucional me seriozitet të lartë.
“Individë si ky, që kanë pasur hapësira mediatike të pakufizuara në vendin tonë, kanë bashkëpunuar me akterë që punojnë për të minuar Republikën dhe progresin e saj.
Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis,” ka shtuar Sveçla.