Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të përfundojnë procesin e konstituimit të Kuvendit përmes zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb.
Në reagimin e KDI-së thuhet se ky hap është thelbësor për të hapur rrugën drejt krijimit të qeverisë dhe funksionalizimit të plotë të institucioneve të vendit.
“Zgjedhja e anëtarit të pestë të Kryesisë nga komuniteti serb e përmbyll konstituimin e Kuvendit dhe i hap rrugë krijimit të Qeverisë. Kjo nuk duhet parë si çështje formale, por si hap i domosdoshëm për forcimin e proceseve demokratike dhe garantimin e funksionimit efektiv të institucioneve kushtetuese,” thuhet në njoftimin e KDI-së.
Instituti thekson se qytetarët, tetë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme, kanë humbur shumë kohë dhe presin veprime të arsyeshme nga klasa politike për të zhbllokuar situatën.
KDI rikujton se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është detyrim kushtetues dhe një nga shtyllat e shtetit të së drejtës, duke apeluar që të gjitha subjektet politike të kontribuojnë në rikthimin e normalitetit institucional dhe funksionimin e demokracisë parlamentare.