Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë njoftuar se seanca e radhës në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës — Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi — do të zhvillohet më 27 tetor 2025.
Në konferencën javore për media, zëdhënësi i kësaj gjykate, Michael Doyle, tha se gjatë javës së kaluar është publikuar versioni i redaktuar i dosjes së procedurës paraprake të Prokurorisë për rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, përfshirë edhe Isni Kilajn, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin.
Sipas Doyle, Prokuroria pretendon se gjatë vizitave në paraburgim, Hashim Thaçi ka shpërndarë informacione konfidenciale që lidhen me dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke zbuluar identitetet e tyre dhe duke dhënë udhëzime se si të dëshmojnë.
Zëdhënësi shtoi se dosja përfshin gjithashtu prova dhe pretendime që do të paraqiten për rolin e katër të akuzuarve të tjerë në këtë rast.
Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, ndërsa paraburgimi ndaj tyre është vazhdësuar.
Dhomat e Specializuara mbajnë informime javore çdo të enjte në orën 14:30 përmes platformës “Zoom”, duke njoftuar publikun mbi zhvillimet më të fundit në proceset gjyqësore. /Periskopi/