10 tetor 2025 – Një aksident tragjik me pasojë vdekjen e një biçiklisti ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën lokale mes fshatrave Leran dhe Geraj, në afërsi të Preshevës, raporton portali Presheva Press, transmeton Qendra.info.
Sipas informacioneve të konfirmuara nga Policia e Vranjës, viktima është një 54-vjeçar nga fshati Ashanë i komunës së Preshevës, i cili po udhëtonte me biçikletë kur u përplas nga një automjet në lëvizje. Nga goditja e fuqishme, ai ka pësuar lëndime të rënda dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Shoferi i automjetit është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia po zhvillon një hetim intensiv për identifikimin dhe kapjen e tij.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme në segmentin e vjetër të magjistrales Preshevë–Bujanoc, pranë fshatit Geraj.
Banorët e zonës kanë shprehur tronditje dhe shqetësim, duke theksuar se rruga është shumë e frekuentuar, por shpesh e pasigurt për biçiklistët dhe këmbësorët, për shkak të mungesës së ndriçimit dhe infrastrukturës mbrojtëse.
Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësinë ligjore për këtë ngjarje të rëndë.