10 tetor 2025 – Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb, është anti-kushtetuese.
Limaj reagoi pas shpalljes zyrtare të konstituimit të Kuvendit të Kosovës nga kryetari Dimal Basha, duke theksuar se ky proces nuk respekton kushtetutën.
“Kjo çka ka ndodhur sot është tërësisht antikushtetuese, zgjedhja e nënkryetarit është anti-kushtetues. Aktgjykimi i fundit e specifikon qartë se nënkryetari serb vjen nga propozimi i shumicës serbe. Praktikisht, sot shumica shqiptare e ka zgjedhur nënkryetarin e pakicës serbe,” tha Limaj.
Ai gjithashtu theksoi se nuk ka për qëllim të hyjë në negociata për formimin e qeverisë deri në zgjidhjen e këtij çështjeje kushtetuese.
Deklarata e Limajt vjen pas zgjedhjes së Rashiqit si nënkryetar i pestë i Kuvendit, një vendim që ka shkaktuar reagime të shumta në skenën politike të Kosovës.