Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar masën e paraburgimit për Fatmir Shehollin, i cili dyshohet se është rekrut i Shërbimit Inteligjent të Serbisë (BIA) dhe ka vepruar nën urdhrat e zyrtarit të BIA-së, Bojan Dimic.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Sheholli ka mbledhur informacione për pronat e uzurpuara nga serbët në Kosovë dhe i ka përcjellë ato tek BIA përmes komunikimeve telefonike. Në përputhje me udhëzimet e Dimicit, më 26 shtator në Mitrovicë të Veriut, Sheholli ka marrë materiale audio dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, të cilat dyshohet se janë komprometuese.
Për publikimin e këtyre materialeve në media online, Sheholli ka marrë një shumë parash si shpërblim nga BIA. Sipas Prokurorisë, ai ka ndihmuar me dashje dhe vetëdije në cenimin e sigurisë dhe rendit juridik të Kosovës, si dhe në dëm të integritetit të zyrtarëve dhe qytetarëve kosovarë.
Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale “Spiunazh” sipas nenit 124 paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjatë bastisjeve të Policisë së Kosovës më 9 tetor, në banesën e Shehollit janë sekuestruar pajisje elektronike, dokumentacion dhe sende të tjera që do t’i nënshtrohen ekzaminimit.