Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur orarin zyrtar të konferencave për shtyp që do të mbahen gjatë Ditës së Zgjedhjeve Lokale, e cila zhvillohet të dielën, më 12 tetor 2025.
Përmes një njoftimi për media, KQZ ka theksuar se përgjatë ditës do të mbahen gjithsej pesë konferenca, të cilat do të shërbejnë për të informuar opinionin publik mbi rrjedhën e procesit zgjedhor dhe nivelin e pjesëmarrjes së qytetarëve në votime.
Orari i konferencave është si më poshtë:
-
08:00 – Konferenca e parë: Njoftim për fillimin zyrtar të procesit të votimit në të gjitha qendrat e votimit në vend.
-
11:30 – Konferenca e dytë: Të dhëna për pjesëmarrjen e qytetarëve deri në orën 11:00, si dhe raportim mbi ecurinë e procesit zgjedhor deri në atë moment.
-
15:30 – Konferenca e tretë: Statistika mbi pjesëmarrjen në votime deri në orën 15:00 dhe vlerësim të përgjithshëm të mbarëvajtjes së ditës zgjedhore.
-
19:30 – Konferenca e katërt: Njoftim për përfundimin e votimit, prezantimi i pjesëmarrjes përfundimtare dhe fillimi i procesit të numërimit të votave.
KQZ pritet të mbajë edhe një konferencë përfundimtare pas përfundimit të numërimit, ku do të bëhen publike rezultatet paraprake dhe do të ofrohen detaje shtesë në lidhje me mbarëvajtjen e të gjithë procesit zgjedhor.