12 tetor 2025, – Të shtëna me armë janë raportuar sot pasdite para qendrës së votimit në fshatin Komoran të Drenasit.
Sipas burimeve të IndeksOnline, policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe fatmirësisht nuk ka të lënduar.
Një dëshmitar ka treguar se incidenti nuk ka lidhje me procesin zgjedhor, por ka qenë pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme ndërmjet dy të rinjve, të cilët fillimisht janë përfshirë në një përleshje fizike, e më pas njëri prej tyre ka shtënë katër herë me armë zjarri.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, ka deklaruar për IndeksOnline:
“Rasti ka ndodhur rreth orës 14:30 në rrugën ‘Shpëtim Robaj’ në Komoran. Nuk raportohet për persona të lënduar. Policia ka konstatuar dëmtim prone (veturë). Dy persona të përfshirë janë shoqëruar në stacion policor. Aktualisht po punojmë për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve. Bazuar në të dhënat e deritanishme, incidenti nuk lidhet me procesin e zgjedhjeve.”
Policia po vazhdon hetimet për të sqaruar plotësisht motivimin dhe rrethanat e ngjarjes.