Lëvizja Vetëvendosje (VV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të përballen në një numër të madh komunash, ndërsa rezultati final do të përcaktohet pikërisht në balotazh.
VV ka siguruar fitoren pa balotazh në tri komuna: Kamenicë, Podujevë dhe Shtime.
Në tri komuna Vetëvendosje prin, ndërsa në nëntë të tjera renditet e dyta, duke ruajtur potencial për rritje në raundin e dytë.
PDK ka fituar po ashtu tri komuna pa balotazh: Skenderaj, Ferizaj dhe Hani i Elezit, ndërsa në gjashtë komuna të tjera do të përballet në raundin e dytë: Dragash (kundër LDK), Kaçanik (kundër VV), Klinë (kundër AAK), Mitrovicë (kundër VV), Prizren (kundër VV) dhe Vushtrri (kundër VV).
Në katër prej tyre PDK prin, ndërsa në dy të tjera renditet e dyta.
LDK ka arritur fitore në dy komuna në raundin e parë – Istog dhe Lipjan – dhe do të marrë pjesë në nëntë balotazhe: Gjilan, Fushë Kosovë, Obiliq, Pejë, Prishtinë, Viti (të gjitha kundër VV-së), si dhe Dragash (kundër PDK), Suharekë dhe Junik (kundër AAK).
Në gjashtë prej këtyre komunave LDK është në epërsi, ndërsa në tri të tjera është e dyta, duke u renditur si një nga partitë me performancën më të qëndrueshme në këtë proces zgjedhor.
AAK ka siguruar fitoren pa balotazh në Deçan, ndërsa do të përballet në pesë komuna të tjera: Gjakovë, Rahovec (të dyja kundër VV-së), Klinë (kundër PDK), Suharekë dhe Junik (kundër LDK).
Ndërkohë, Nisma Socialdemokrate ka ruajtur komunën e Malishevës, ku ka fituar pa balotazh, ndërsa në komunat tjera nuk ka arritur rezultate të dukshme.
Kandidati i pavarur Ramiz Lladrovci ka fituar pa balotazh në Drenas.