Policia italiane ka sekuestruar 200 kilogramë kokainë gjatë një operacioni në Romë, me një vlerë tregu prej rreth 16 milionë eurosh.
Sipas mediave italiane, droga u gjet në banesën e një 23-vjeçari shqiptar, ku policia gjithashtu konfiskoi një armë zjarri, municione dhe rreth 30 mijë euro në para të gatshme.
Hetimet zbuluan se apartamenti i të riut shërbente si qendër logjistike për ruajtjen dhe shpërndarjen e substancës narkotike.
Operacioni nisi pasi karabinierët e ndaluan të dyshuarin për një kontroll rutinë, duke vërejtur sjellje të dyshimtë dhe duke gjetur në çantën e tij një shumë të madhe parash që nuk mund ta justifikonte, pasi rezultonte i papunë.
Sipas autoriteteve italiane, droga ishte destinuar për tregun e Romës, ndërsa fitimet e saj pritej të përdoreshin për financimin e aktiviteteve të tjera kriminale.
Për transportin dhe fshehjen e lëndës narkotike, i riu përdorte një automjet me ndarje sekrete, e cila hapej përmes një mekanizmi elektronik me kombinim butonash.
I arrestuari është dërguar në burgun e Rebibbias, ndërsa hetimet për bashkëpunëtorë të mundshëm vazhdojnë.