15 tetor 2025 | Prishtinë – Grupi zyrtar i tifozëve të Kombëtares së Kosovës, “Dardanët”, kanë shprehur mbështetjen e tyre për protestën gjithëkombëtare kundër Gjykatës Speciale, e cila do të mbahet të premten, më 17 tetor, në Tiranë, në orën 17:00.
Përmes një postimi në Facebook, “Dardanët” kanë deklaruar se qëndrojnë në solidaritet të plotë me kategoritë e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke kërkuar drejtësi dhe jo barazi farse me kriminelët serbë.
“Dardanët mbështetin pa asnjë ekuivok dhe në formë unanime protestën gjithëkombëtare të thirrur në Tiranë për drejtësi dhe lirim sa më të shpejtë të krerëve të guerilës sonë të shenjtë. Duam drejtësi dhe jo barazi farse me kriminelët shovinistë serbë,” thuhet në deklaratën e grupit.
Në njoftim, tifozët theksojnë gjithashtu se UÇK-ja nuk ka kryer krime lufte dhe se “adresa e krimeve është vetëm Beogradi famëkeq”.
Protesta në Tiranë pritet të mbledhë qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare, në shenjë solidariteti me ish-krerët e UÇK-së që po përballen me drejtësinë në Hagë.