15 tetor 2025 | Prishtinë – Gazetari dhe moderatori i emisionit “Debat Plus”, Ermal Panduri, ka reaguar pas paralajmërimit të Faton Pecit, kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për Mitrovicën e Jugut, i cili njoftoi se do të padisë disa gazetarë dhe drejtues të UBO Consulting për, siç pretendon ai, “ndikim të paligjshëm në procesin zgjedhor”.
Në një postim të shkurtër në Facebook, Panduri ka shkruar:
“Lujta, menxi po pres…”,
duke e shoqëruar reagimin me ironi ndaj njoftimit të Pecit.
Kujtojmë se më herët gjatë ditës, Faton Peci paralajmëroi padi penale ndaj disa gazetarëve, përfshirë Baton Haxhiun, Berat Buzhalën, Lirim Mehmetajn, Ilir Mirenën, Valon Sylën, Ermal Pandurin, Valon Fekën, Shkumbin Kajtazin dhe të tjerë.
Ai i akuzoi ata për “cenim të përcaktimit të lirë të votuesve” dhe “falsifikim të rezultateve të votimit”, duke pretenduar se publikimi i exit poll-eve nga disa media ishte “i paligjshëm dhe i qëllimshëm për të ndikuar në vullnetin e qytetarëve”.
Peci, i cili pritej të fitonte garën pa balotazh në Mitrovicën e Jugut, doli në vendin e dytë, pas kandidatit të PDK-së, Arian Tahiri.