Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, pas akuzave të kësaj partie se ai kishte ardhur në Kosovë për të ndikuar në votimin e Gjykatës Speciale.
Në një reagim publik, Rama ka mohuar pretendimet e Vetëvendosjes, duke theksuar se kjo lëvizje po ngatërron marrëdhëniet shtetërore mes Kosovës dhe Shqipërisë me interesat e brendshme elektorale.
“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim,” – ka deklaruar Rama.
Ai shtoi se nuk është në asnjë garë me Vetëvendosjen, por e ka të pafalshme ngatërrimin e marrëdhënieve institucionale me fushatat komunale.
“Më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale,” – u shpreh Rama.
Kryeministri shqiptar kujtoi se Gjykata Speciale u ngrit fillimisht për çështjen e pretenduar të trafikut të organeve, jo për të “marrë peng” ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
“Për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës,” – ka theksuar ai.
Në fund të reagimit, Rama sqaroi se nuk është organizator apo folës në protestën gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, por se e mbështet plotësisht iniciativën.
“Do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim, me dashje ose jo, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj,” – ka përfunduar Rama.