16 Tetor 2025, 14:52 | Prishtinë
Raportohet se është arrestuar Bozhidar Dejanoviq, kandidati i Listës Serbe për kryetar të Kllokotit, pas një urdhërarresti të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Sipas mediave lokale, përfshirë info-plus.tv, të cilat citohen nga Periskopi, Dejanoviq është ndaluar nga autoritetet pasi nuk ishte paraqitur në shqyrtimin gjyqësor të paraparë për këtë javë, në një proces ku ai po akuzohet për falsifikim të dokumenteve zyrtare.
Gjykata kishte lëshuar urdhërarrest ndaj ish-kryetarit të Kllokotit, ndërsa arrestimi i tij është konfirmuar nga burime brenda sistemit të drejtësisë.
Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, Bozhidar Dejanoviq garoi sërish për kryetar të Kllokotit si kandidat i Listës Serbe.
Sipas aktakuzës, Dejanoviq dhe mjeku Bekim Ademi dyshohen se kanë falsifikuar një dokument zyrtar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), përmes së cilit Dejanoviq tentoi të arsyetonte mungesën e tij në një seancë gjyqësore.
Të dy të akuzuarit ngarkohen me veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve zyrtare” dhe “legalizimit të përmbajtjes së rreme”. /Qendra.INFO