Prizren, 17 tetor 2025 – Një rast i rëndë dhune në familje ka tronditur qytetin e Prizrenit në orët e para të mëngjesit të së premtes, ku një burrë ka therur me thikë bashkëshorten dhe vajzën e tij të mitur.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit – Departamenti për Krime të Rënda, ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:20 pas mesnate, në rrugën “Rexhep Kabashi”. Policia është njoftuar për një rast të dhunës në familje dhe ka ndërhyrë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Në momentin e arritjes, patrulla policore ka hasur një grua të gjakosur, e cila dyshohet se është therur me thikë nga bashkëshorti i saj. Ajo ndodhej në rrugë me lëndime të rënda trupore dhe gjakderdhje, ndërsa zyrtarët policorë i kanë dhënë ndihmën e parë derisa ka mbërritur ekipi mjekësor.
Në ndërtesën ku banonte familja, në katin e fundit, policia ka gjetur edhe vajzën e mitur të çiftit, e cila po ashtu kishte lëndime trupore të shkaktuara me mjet të mprehtë. Të dy viktimat janë dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku gjendja e tyre është vlerësuar si e rëndë nga mjekët kujdestarë.
Prokuroria ka konfirmuar se i dyshuari është kryefamiljari, bashkëshorti dhe babai i viktimave, i cili është arrestuar në vendngjarje nga policia. Gjatë kontrollit, tek ai është gjetur dhe sekuestruar mjeti i dyshuar i krimit – një thikë.
Pas arrestimit, prokurori kujdestar ka lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh ndaj të pandehurit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale:
-
“Vrasje e rëndë në tentativë” dhe
-
“Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Brenda afateve ligjore, Prokuroria ka bërë të ditur se do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Në njoftimin për media, Prokuroria ka theksuar se po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti të rëndë dhune në familje./Qendra.INFO

