Tiranë, 17 tetor 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar sot drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestën e paralajmëruar me moton “Liri për Çlirimtarët”, e cila organizohet në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim në Hagë.
Pamjet e siguruara nga Report.tv dhe të transmetuara nga Periskopi tregojnë eskortën zyrtare të presidentes teksa kalon kufirin Kosovë–Shqipëri, në një kohë kur dhjetëra automjete të tjera të pajisura me flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë po udhëtonin drejt kryeqytetit shqiptar për të marrë pjesë në tubim.
Protesta pritet të nisë sot pasdite, në orën 17:00, në Tiranë, dhe ka për qëllim të shprehë mbështetjen ndaj luftëtarëve të UÇK-së që po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë.
Në ngjarje pritet të marrin pjesë edhe figura politike nga Shqipëria, kryesisht nga radhët e mazhorancës.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk do të jetë i pranishëm në protestë. Një ditë më parë, ai kritikoi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për mbështetjen e dhënë vite më parë për ngritjen e Dhomave të Specializuara të Hagës.