Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Ylber Hysa, ka komentuar zgjedhjet lokale që po mbahen sot në këtë shtet, duke theksuar se shqiptarët kanë treguar një pjesëmarrje më të lartë në votime sesa maqedonasit.
Në një intervistë për Klan Kosova, Hysa tha se gara më e fortë zhvillohet në komunën e Çairit, të cilën ai e përshkroi si “garë midis dy ideve”, e jo thjesht midis dy partive politike.
“Njëra palë tenton ta mbrojë atë që njihet si Marrëveshja e Ohrit dhe të gjitha garancitë kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve pas vitit 2001, ndërsa pala tjetër është bashkuar në një koalicion me një parti që udhëhiqet nga Mickoski, i cili ka përdorur një retorikë anti-shqiptare dhe anti-evropiane”, u shpreh Hysa.
Ai shtoi se beteja në Çair është “mes dy koncepteve”: njëri që kërkon të ruajë të drejtat e arritura të shqiptarëve, dhe tjetri që, sipas tij, ka hyrë në qeveri me Hristijan Mickoskin.
Sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje, Hysa theksoi se dalja e shqiptarëve është rreth 10 për qind më e lartë krahasuar me zgjedhjet e kaluara, ndërsa tek pala maqedonase ajo është dukshëm më e ulët.
“Nga ajo që është parë deri më tani, procesi ka qenë i rregullt dhe pa incidente të theksuara. Por ajo që bie në sy është pjesëmarrja më e madhe në zonat shqiptare, rreth 10 për qind më shumë se më parë”, tha ai./Qendra.INFO

