Ferizaj, 20 tetor 2025 – Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar mbrëmjen e së dielës në rrugën “Bajram Kelmendi” në qytetin e Ferizajt.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ankuesi ka njoftuar se persona të panjohur kanë depërtuar me forcë në shtëpinë e tij përmes derës së njërës nga dhomat, nga ku kanë vjedhur stoli ari me vlerë rreth 10 mijë euro.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe ekipi i krimteknikës rajonale, i cili ka kryer ekzaminimet, fotografimin dhe mbledhjen e provave materiale.
“Hetuesit rajonal lidhur me rastin kanë njoftuar Prokurorin kujdestar, i cili i ka autorizuar që të ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore lidhur me rastin,” ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Rasti është cilësuar si “vjedhje e rëndë” dhe po hetohet nga njësia për hetimin e krimeve të përgjithshme në koordinim me Prokurorinë Themelore të Ferizajt. /Qendra.INFO

