Fatmir Sheholli, i arrestuar nën dyshimet për spiunazh, është kthyer në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan pas disa ditësh trajtim në spitalin e këtij qyteti.
Lajmin e ka konfirmuar për media zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi, i cili tha se “pas disa ekzaminimeve dhe trajtimeve në spitalin e Gjilanit, Sheholli është rikthyer në qendrën e paraburgimit”.
Sheholli ishte shtruar në spital dy ditë pas arrestimit, ndërsa Prokuroria Speciale e Kosovës kishte njoftuar më herët se arrestimi i tij ishte rezultat i hetimeve disa mujore.
Sipas komunikatës së Prokurorisë, gjatë operacionit janë kryer bastisje në vendbanimin e Shehollit, me qëllim sigurimin e provave materiale lidhur me rastin.
Hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ndërsa organet e hetuesisë kanë paralajmëruar se publiku do të informohet në kohë për zhvillimet e reja të çështjes.

