Ish-komandanti i forcave të NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Gjenerali amerikan Wesley Clark, është zyrtarisht konfirmuar si dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë.
Clark, i cili udhëhoqi fushatën 78-ditore të bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe, do të dëshmojë në mbrojtje të ish-Presidentit Hashim Thaçi, në një nga dëshmitë më të rëndësishme të këtij procesi gjyqësor deri më tani.
Burime pranë ekipit mbrojtës thonë se dëshmia e Clark pritet të sfidojë fort narrativën e Prokurorisë, e cila pretendon ekzistencën e një “Ndërmarrjeje të Përbashkët Kriminale”. Sipas analizave, nëse UÇK-ja do të konsiderohej organizatë kriminale, atëherë vetë NATO – që bashkërendonte veprimet me të – do të duhej të akuzohej për të njëjtin “krim”.
Clark pritet të theksojë se NATO dhe UÇK kishin qëllim të përbashkët – çlirimin e Kosovës nga regjimi serb, dhe se lufta e vitit 1999 ishte një ndërhyrje legjitime për të ndalur gjenocidin ndaj shqiptarëve.
Wesley Clark është dëshmitari i pestë i mbrojtjes në këtë proces. Para tij kanë dëshmuar ish-zyrtarë të lartë amerikanë dhe ndërkombëtarë, përfshirë James Rubin, Paul Williams, John Duncan dhe Jock Covey.
Procesi i dëshmive pritet të vazhdojë deri në mes të nëntorit, ndërsa fjalët përfundimtare do të dorëzohen në dhjetor.
Vendimi përfundimtar i Panelit të Gjyqtarëve mund të shpallet në fillim të vitit 2026.
Në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori 2020, ndodhen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të akuzuar për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.

