Lezhë, 25 tetor 2025 – Nga data 23 qershor, që përkon me ditëlindjen e At Gjergj Fishtës, për katër ditë me radhë do të zhvillohet aktiviteti kulturor “Shtegu Fishtjan”, një iniciativë që i fton vizitorët të ecin në gjurmët e poetit të madh kombëtar.
Ky shteg kalon përmes Fishtë së vogël, vendlindjes së autorit të “Lahutës së Malcisë”, ku vizitorët do të ndalojnë në disa pika që lidhen ngushtë me jetën dhe veprën e Fishtës.
Gjatë itinerarit, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të njihen me historinë, traditat dhe kulinarinë lokale, ndërsa banorët i presin me mikpritjen karakteristike dhe ushqime tradicionale, si petulla me mjaltë e djathë.
“Mirë se ju ka pru Zoti”, – është përshëndetja me të cilën vendasit hapin shtegun, duke përcjellë një ndjesi të ngrohtë mikpritjeje për çdo vizitor.
Në fund të rrugës, në afërsi të memorialit të At Fishtës, organizatorët dhe banorët ofrojnë një tjetër ndalesë me ushqime tradicionale dhe poezi të përzgjedhura nga krijimtaria e tij.
Përveç shijimit të natyrës dhe kulinarisë, vizitorët mund të njohin edhe punimet artizanale të grave zadrimore, të cilat ruajnë e trashëgojnë me dashuri mjeshtërinë e tyre.
Ky aktivitet synon të promovojë turizmin kulturor dhe trashëgiminë shpirtërore të Zadrimës, duke e kthyer Fishtën në një destinacion të rëndësishëm për kulturën shqiptare.

