Prishtinë, 26 tetor 2025 – Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke e akuzuar se për pesë vite ka ndërtuar profilin e tij politik mbi polarizim dhe manipulim.
Në një reagim publik, Çitaku tha se Kurti “ka tentuar të sundojë, sepse nuk ka ditur të qeverisë”, duke shtuar se gjatë mandatit të tij ka sulmuar gjykatat, prokurorinë, mediat, bizneset dhe sindikatat.
“Edhe sot, i njëjti diskurs: ‘Ejani e më votoni, sepse ashtu po them unë’. Por koha e arrogancës po mbaron,” ka deklaruar ajo.
Sipas Çitakut, “demistifikimi i figurës së Kurtit ka nisur që në ditën e parë të marrjes së pushtetit” dhe tendencat për sundim janë bërë të dukshme që atëherë.
Ajo shtoi se “të zgjedhurit e popullit i treguan qartë sot se kjo mendësi nuk kalon”, duke iu referuar dështimit të Kurtit për të siguruar mbështetjen parlamentare për formimin e qeverisë së re.

