Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë në detyrë për miratimin dhe procedimin në Kuvend të Projektligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2026, duke e cilësuar këtë veprim si të papërshtatshëm dhe me pasoja afatgjata fiskale.
Sipas OEAK-së, një qeveri pa mandat të plotë politik nuk duhet të ndërmarrë vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në politikat fiskale dhe ekonomike, pasi ligji ia lejon vetëm përmbushjen e detyrimeve teknike, jo miratimin e masave të reja me ndikim financiar.
Oda ka reaguar edhe ndaj rritjes së pagës minimale nga 350 në 500 euro, që pritet të zbatohet në dy faza gjatë vitit 2026, duke theksuar se megjithëse qëllimi është pozitiv, vendimi duhet të bazohet në analiza gjithëpërfshirëse të tregut të punës dhe kapaciteteve të sektorit privat, për të shmangur pasiguri ekonomike.
“Vendimet e tilla mund të rrezikojnë stabilitetin e tregut të punës dhe të krijojnë pasiguri për komunitetin e biznesit,” thuhet në reagimin e Odës Amerikane.
OEAK paralajmëron se politikat e reja të shpenzimeve publike në këtë fazë mund të rrisin ngarkesën buxhetore, të cenojnë stabilitetin makroekonomik dhe të kufizojnë hapësirën fiskale për investime zhvillimore.
Në fund, Oda Amerikane u bën thirrje institucioneve që të respektojnë kufizimet ligjore të një qeverie kujdestare dhe të përqendrohen në formimin e një qeverie legjitime me mandat të plotë demokratik.

