Gjykata Kushtetuese ka vendosur sot në favor të Erion Veliajt, duke shfuqizuar vendimin e Qeverisë që e kishte shkarkuar atë nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Burime nga brenda Gjykatës bëjnë të ditur se vendimmarrja e trupës gjykuese ka qenë me 5 vota pro dhe 3 kundër në favor të kërkesës së Veliajt për rrëzimin e vendimit të Këshillit të Ministrave, i cili kishte miratuar propozimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për shkarkimin e tij.
Me këtë vendim të Kushtetueses, anulohet gjithashtu edhe dekreti i Presidentit Bajram Begaj për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja në Tiranë, të planifikuara për 9 nëntor 2025.
Ky zhvillim politik rikthen Erion Veliajn në detyrë dhe konsiderohet si një goditje për Qeverinë, e cila kishte argumentuar se shkarkimi ishte bërë për “mosushtrimin e detyrës për më shumë se tre muaj”.
Vendimi i Kushtetueses është përfundimtar dhe me efekt të menjëhershëm, duke i dhënë fund krizës institucionale në Bashkinë e Tiranës.

