Kancelari gjerman Friedrich Merz ka ftuar presidentin sirian Ahmed al Sharaa në Berlin për të diskutuar fillimin e deportimit të qytetarëve sirianë me precedentë penalë nga Gjermania. Ai tha se procesi i dëbimeve do të zbatohet “në mënyrë shumë konkrete” në javët e ardhshme.
Merz theksoi se Gjermania synon të ndihmojë në stabilizimin e Sirisë, por nënvizoi se “lufta civile ka mbaruar” dhe “nuk ka më arsye për azil”.
Ky ndryshim shënon një largim të qartë nga politika e “dyerve të hapura” të ndjekur nga Angela Merkel në vitin 2015, kur u mirëpritën afro 1 milion refugjatë, kryesisht sirianë.
Rritja e mbështetjes për partitë e djathta ekstreme dhe presioni ndaj konservatorëve të Merz ka shtyrë qeverinë gjermane të forcojë politikat e migracionit dhe të përshpejtojë deportimet.
Presidenti sirian Al Sharaa, që mori pushtetin pas Bashar al-Assad në dhjetor 2024, pritet të diskutojë në Berlin mënyrat për bashkëpunim dhe rikthimin e qytetarëve sirianë në atdhe.

