Një ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) publikoi shifrat zyrtare të shpenzimeve të fushatës elektorale, ku rezulton se Partia Demokratike e Shqipërisë ka kryesuar me totalin më të lartë të fondeve të përdorura gjatë zgjedhjeve parlamentare të majit.
Sipas raportit financiar të dorëzuar në KQZ, drejtuesi i fushatës së PD-së, Chris LaCivita, ka përfituar 139 milionë e 111 mijë e 686 lekë (rreth 1.4 milionë euro) për shërbime konsulence, të ndara në katër pagesa gjatë periudhës shkurt–maj 2025.
Lidhur me këto shifra ka raportuar edhe “The New York Times”, që thekson se konsulentët amerikanë që kanë punuar në fushatat presidenciale të Donald Trump-it kanë marrë mbi 1.6 milionë dollarë nga PD për këshillimin strategjik të fushatës shqiptare. Po sipas të njëjtit burim, rreth 65 mijë dollarë janë paguar për sondazhe të kryera nga firma e Tony Fabrizio-s, një tjetër bashkëpunëtor i afërt i Trump.
Gazeta amerikane shkruan se LaCivita ka bashkëpunuar në Shqipëri me Paul Manafort-in dhe Fabrizion, në përpjekje për të pozicionuar ish-presidentin Sali Berisha si një figurë politike “në stilin e Trump”. Fushata e tyre synonte të paraqiste Berishën si viktimë të një “gjuetie shtrigash” nga rivalët politikë dhe administrata amerikane.
Sipas NYT, pagesat janë kryer gjatë një periudhe më pak se katër muaj, ndërsa pas humbjes së PD-së përballë Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama, ekipi i LaCivita-s ka mbështetur pretendimet për parregullsi zgjedhore – pretendime që nuk u mbështetën nga rinumërimi zyrtar.
Berisha, i cili vazhdon të jetë nën hetim për korrupsion dhe i sanksionuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit që prej vitit 2021, nuk ka komentuar mbi raportimin e shpenzimeve.

