Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka njoftuar se do të ndërtojë një fushë futbolli për fëmijët shqiptarë në Luginën e Preshevës, por vendndodhja e këtij projekti ka shkaktuar debat mes komunave të Bujanocit dhe Preshevës.
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arber Pajaziti, dhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Federatën Shqiptare të Futbollit në Tiranë. Megjithatë, pas nënshkrimit të marrëveshjes, ka nisur përplasja se ku duhet të ndërtohet fusha.
Përfaqësuesit e Preshevës, pas kthimit nga Tirana, kanë njoftuar se fusha e re e trajnimeve për të rinjtë do të ndërtohet në fshatin Zhujincë, afër Preshevës.
Nga ana tjetër, kryetari i Bujanocit, Arber Pajaziti, e ka kundërshtuar këtë propozim, duke theksuar se vendndodhja është shumë larg për fëmijët e Bujanocit. Ai ka sugjeruar që fusha të ndërtohet në Bilac, një vend që ndodhet në territorin e Bujanocit, por afër të dy komunave.
“Propozimi im është që fusha të ndërtohet në Bilac, pasi ndodhet në mes të dy qyteteve. Nuk duhet ta lejojmë që ky projekt të dështojë për shkak të mungesës së marrëveshjes. Është absurde që ndihma vjen nga Tirana, ndërsa ne nuk mund të biem dakord për vendin ku do të ndërtohet fusha,” – ka deklaruar Pajaziti.
Sipas mediave lokale, në ditët në vijim pritet një takim mes përfaqësuesve të dy komunave për të gjetur një zgjidhje kompromisi dhe për të informuar Federatën Shqiptare të Futbollit për vendimin përfundimtar.
Projekti i FSHF-së parashikon ndërtimin e një fushe futbolli me bar sintetik dhe pa tribuna, si dhe donacione në pajisje sportive dhe topa futbolli për fëmijët e Luginës së Preshevës.

