Në raportin më të fundit të Komisionit Evropian, thuhet se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, duke ruajtur një nivel të lartë mbështetjeje publike për integrimin.
Megjithatë, Komisioni thekson se vonesat në formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit kanë ngadalësuar progresin në reformat e lidhura me BE-në.
“Kosova ka mbetur e përkushtuar në rrugën e saj evropiane, me një nivel të lartë mbështetjeje publike. Megjithatë, vonesa në formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit ka ngadalësuar progresin në reformat që lidhen me BE-në. Për të rikthyer dinamizmin në këtë proces, është e domosdoshme forcimi i bashkëpunimit ndërpartiak dhe riprioritizimi i reformave evropiane”, thuhet në raport.
Komisioni Evropian ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për të përgatitur një Opinion mbi kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE, nëse një gjë e tillë kërkohet nga Këshilli Evropian.
“Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe zbatimi i angazhimeve nga Dialogu mbeten pjesë thelbësore e perspektivës evropiane të Kosovës. Komisioni shpreh gatishmërinë për të përgatitur një Opinion mbi kërkesën e Kosovës për anëtarësim, nëse një gjë e tillë kërkohet nga Këshilli”, theksohet në raport.
Po ashtu, raporti përmend masat ndaj Kosovës, duke theksuar se hapat e ardhshëm për heqjen e tyre do të varen nga ruajtja e de-përshkallëzimit të situatës në veri të vendit.
“Komisioni ka ndërmarrë hapat e parë që nga maji 2025 për të filluar heqjen graduale të masave ndaj Kosovës. Hapat e ardhshëm do të varen nga ruajtja e de-përshkallëzimit të situatës në veri. Komisioni synon t’i heqë plotësisht këto masa nëse arrihet një transferim i rregullt i qeverisjes lokale në veri pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale”, thuhet mes tjerash në raport./Qendra.INFO

