Në Preshevë po zhvillohet konferenca e tretë “Ekonomia Shpëton Luginën”, organizuar nga Unioni i Afaristëve për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Në këtë ngjarje po prezantohet projekti ekonomik më i madh i deritanishëm në Luginë – krijimi i një pike grumbulluese për produktet bujqësore, me vlerë mbi 700 mijë euro.
Pika grumbulluese do të funksionojë përmes modelit të aksionarëve, ku tashmë janë përfshirë 100 afaristë shqiptarë nga Lugina dhe diaspora, me synim forcimin dhe konsolidimin e prodhimit vendor.
Kryetari i Unionit të Afaristëve, Xhelal Mehmeti, tha se kjo iniciativë ka nisur në vitin 2023 dhe synon të krijojë baza të qëndrueshme ekonomike për komunitetin shqiptar në Luginë.
“Në këtë projekt po bashkohen kapitali, përvoja dhe vizioni i afaristëve tanë. Qëllimi është zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm dhe fuqizimi i bizneseve lokale,” tha Mehmeti.
Në konferencë po marrin pjesë afaristë dhe përfaqësues të Odave Ekonomike nga vendet e ndryshme të Ballkanit, duke e kthyer ngjarjen në një platformë bashkëpunimi ekonomik rajonal.

